Edukim në vazhdim i stafit mjekësor sipas protokolleve europiane në qendrat e dializës.
Ky ishte qëllimi i trajnimit një javor (11-16 dhjetor) të zhvilluar nga shoqëria DiaVita e cila ofron këtë shërbim me standartet më të larta në 5 qytete të vendit, si pjese e partneritetit publik privat.
Stafi mjekësor që punon në qytetin e Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Korçës dhe Elbasanit, nën kujdesin e shoqërisë konçesionare DiaVita, dhe në bashkëpunim me Shoqërinë Italiane AEFFE AggiornaMenti InFormazione për Edukimin ECM, mori një cikël leksionesh mbi ndihmen e shpejtë tek fëmijët dhe të rriturit.
Edukimi u zhvillua konform protokolleve europiane më të fundit ILCOR – ERC 2015. Në fund të kursit i cili u zhvillua me tre module, stafi i trajnuar përvetësoi aftësitë për manaxhimin korrekt të trajtimit të urgjencave mjekësore të cilat do t’i përdorë në dobi të pacienteve të dializës. Ky kurs ofroi njohuri që lidhen me aftësimin e stafit për të mbajtur funksionet vitale të pacientit në nevojë për ndihmë të shpejtë.
Në Maj të vitit 2015 Ministria e Shëndetësisë shpalli tenderin për ofrimin e shërbimit të dializës në 5 qendra ku u shpall fitues projekti i bashkimit të shoqërive eVita dhe American Hospital të cilët themeluan shoqërinë konçesionare DiaVita. Që nga Maji i vitit 2017 DiaVita operon me kapacitet të plotë në Vlorë, Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Korçë duke i ardhur në ndihmë pranë vendbanimeve të tyre mbi 300 pacientëve që marrin shërbimin e dializës, duke rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit dhe cilësinë e jetës së këtyre pacientëve që më parë udhëtonin me orë të gjata për të marrë këtë shërbim.